Një Maji – Dita Ndërkombëtare e Punës – e gjen Kosovën me shifër më të ulët të papunësisë, krahasuar me vitet e kaluara, por me mungesë punëtorësh në disa sektorë.
Nga 45% sa ka qenë shkalla e papunësisë në vitin 2008, kur Kosova ka shpallur pavarësinë, ajo ka rënë në afro 17 për qind në tremujorin e parë të vitit 2022, tregojnë të dhënat e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK).
Të dhënat për gjithë vitin 2021 tregojnë se shkalla e papunësisë ka qenë mbi 20 për qind.
Sipas ASK-së, nga mbi 1.2 milion qytetarë në moshë pune, mbi 380 mijë janë të punësuar, mbi 77 mijë janë të papunë dhe mbi 750 mijë janë ekonomikisht joaktivë – që do të thotë se nuk janë të punësuar, as të regjistruar si të papunë dhe as nuk kërkojnë punë.
Pavarësisht këtyre shifrave, punëdhënësit kanë raportuar – sidomos gjatë viteve të fundit – vështirësi për të gjetur punëtorë për pozita të caktuara.
Me këtë problem janë përballur më së shumti bizneset në sektorin e bujqësisë, gastronomisë, ndërtimtarisë dhe tekstilit.
Në platformat online, nëpërmjet të cilave kërkohen punëtorë, aktualisht ka mijëra vende të lira pune.
Vetëm në platformën ‘superpuna’ të Qeverisë së Kosovës, e cila është vënë në funksion në muajin shkurt me qëllim punësimin e të rinjve, janë nxjerrë afër 5 mijë vende të lira pune brenda dy muajsh./ REL