Kampioni kuqezi Izmir Smajlaj është rikthyer në pistë pasi mori pafajësi. Gjykata Sportive Botërore nuk ka gjetur asnjë faj te atleti shkodran për manipulim rezultati duke e shpallur të pafajshëm dhe duke i dhënë të drejtën të rikthehet në pistë. Pas kësaj fitoreje, shkodrani ka një mesazh.
“I drejti nuk mposhtet kurrë! I pafajshëm! Falë një beteje të gjatë ligjore me AIU Sport Resolution, Gjykata Sportive Botërore, me seli në Londër, ka shpallur pafajësinë time kundrejt aludimeve për mashtrim ndaj një gare ku isha pjesëmarrës.
Isha i bindur që gjyqtarët e huaj do të vlerësonin të vërtetën dhe do kuptonin që çdo gjë që ishte hetuar ishte e gabuar dhe pa fakte ndaj meje, prandaj jam tejet i lumtur dhe me anë të këtij postimi ju komunikoj edhe rikthimin tim në pistë”, është Izmir Smajlaj.
Për manipulimin e rezultatit është shpallur fajtor presidenti i Federatës së Atletikës, Gjergj Ruli, që është dënuar me 5 vjet pezullim, si dhe Sekretari i Federatës, Nikolin Dionisi me 4 vjet.