Kryetari i FRPD-së në Durrës, Shyqyri Myrtollari ka denoncuar ditën e sotme një rast ku sipas deklaratës së tij aktivistët e FRPD-së janë kërcënuar teksa shpërndanin fletëpalosje në mbështetje të kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Igli Carës.
“Një grup i përbërë prej afro 10 personash, janë afruar duke kërcënuar të rinjtë demokratë, që “Nëse nuk do të largoheshin nga zona e tyre, do të hanin plumbin,” u shpreh Myrtollari.
Opozita pretendon gjithashtu se grupe të shumta kriminale janë shpërndarë në qytet dhe po bëjnë presion ndaj qytetarëve.
“Ndërsa dita e votimeve po afron bandat kriminale janë shpërndarë në zona të ndryshme të qytetit te Durrësit duke ju bërë presion jo vetëm banorëve por edhe atyre që janë kundërshtarë të kryetares aktuale të Bashkisë,” shtoi më tej kryetari i FRPD-së.
Myrtollari kërkoi nga Policia e Qytetit të Durrësit që të verifikojë urgjentisht personat të cilët kanë kryer këtë vepër penale dhe bëri thirrje të merren masat e duhura ndaj tyre.
“E drejta e informimit dhe e drejta e votës së lirë është e drejta e të gjithë qytetarëve. Presioni dhe kërcënimi i çdo votuesi është metoda e marrjes së votave nga ana e grupeve të organizuara të kryetares së Bashkisë Emiriana Sako. Kjo duket qartë nga prezenca e patonazhistëve dhe grupeve të organizuara kriminale të shpërndara kudo nëpër zonat e ndryshme të qytetit të Durrësit,” përfundoi ai.