Elbasani premton një garë të fortë në 14 Maj. Luçiano Boçi sfidon Gledian Llatjan. Ish-deputeti kandidon për herë të dytë për të qenë i pari i qytetit për të risjellë bashkinë në duart e demokratëve pas shumë viteve.
“Shërbimi ndaj Elbasanit dhe dinamika e politikës ishin arsyet e kandidimit. Nuk shoh ndonjë ndryshim të madh mes të qenurit deputet apo kryetar bashkie. Angazhim dhe betejë ndaj atyre që të kanë mbështetur” tha ai te “5Pyetjet nga Babaramo”.
Por a është i shqetësuar dhe si e komenton Boçi gjuhën e Edi Ramës me polarizimin e elektoralin? Në këtë pikë, Boçi i kujtoi Edi Ramës çfarë deklaronte në 2013 kur mori pushtetin.
“Stili i Ramës ka ardhur koha të zëvendësohet sepse njerëzit janë ngopur. Ramën e kam mëshiruar ku ka përfunduar me një fjalor të tillë. Në 2013 kur mori pushtetin bënte rolin e të qenurit i sulmuar dhe familjarët e tij “nuk gjenin vend ku të futeshin”.
Dhe atëherë kam pasur një refleksion dhe më është dhimbsur. Tani ka marrë rolin e atyre që kanë qejf të godasin me shpifje banale dhe harron që edhe unë kam personalitetin dhe karakterin tim. Prandaj më është dhimbsur, ka degraduar njerëzisht, moralisht dhe politikisht. Por nuk trembem. Rama e kaloi vijën e kuqe morale” tha Boçi.