Zëdhënësja e ish-kreyminstrit Sali Berisha, Floriana Garo ka akuzuar qeverinë se po përdor policinë për t’i bllokuar opozitës çdo shteg në zgjedhjet lokale të 14.
Garo i bëri thirrje Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit të tërheqë menjëherë policët , si dhe OSBE-ODHIR që ti marrë shënim të gjitha këto abuzime dhe t’i konsiderojë për raportin final të zgjedhjeve të 14 majit.
DEKLARATË PËR MEDIA E ZËDHËNËSES SË PD, FLORIANA GARO
Në Tiranë, Policia Bashkiake është dërguar për të mbyllur zyrat e degëve të Partisë Demokratike dhe koalicionit Bashkë Fitojmë.
Banditë me uniformë, në shkelje të çdo kodi etik dhe elektoral kanë shkuar në zyrat e degëve 2 dhe 5, me urdhërin e mbylljes në dorë.
Përpjekja për t’i mbyllur opozitës cdo shteg komunikimi me zgjedhësit, pasi i grabitën vulën dhe i caktuan drejtuesin e koalicionit kundër vullnetit të anëtarëve, i bën të duken të vegjël dhe në panik nga vala popullore që u është kthyer kundra.
Meqë vjen Rama nesër dhe meqë nuk e duron dot banderolën me sloganin e Bashkë Fitojmë, cubat e tij në Lushnjë duan që Rames të mos ja zërë sytë asgjë e pahijshme.
Faktin se e bëjnë për Ramën e ka dëshmuar vetë një prej policëve që u ka thënë përfaqësuesve të opozitës: hiqeni sot dhe mund ta vini sërish nesër.
Më alarmante gjendja është në Pukë, ku taborret e Gjon Gjonajt, në Polici dhe administrate, kanë filluar një fushatë të hapur kërcënimesh me qëllim trembjen e opozitarëve.
Koalicioni Bashkë Fitojmë i bën thirrje Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, që të tërheqë menjëhere policët e kthyer në banditë, nga Lushnja në Cërrik e deri në Pukë e më tej.
I kërkojmë OSBE-ODHIR që ti marrë shënim të gjitha këto abuzime dhe t’i konsiderojë për raportin final të zgjedhjeve të 14 majit.