Pasditen e sotme është paraqitur në Komisariatin e Policisë Lezhë Salvador Kaçaj 56 vjeç, banues në Lezhë dhe ka bërë kallëzim se ka qenë duke lëvizur me mjetin e tij së bashku me djalin e shoferin, në aksin rrugor Lezhë-Milot dy automjete i kanë dalë përpara duke i bllokuar rrugën.
“Nga automjetet kanë zbritur dy persona të panjohur prej tij, ku njëri prej tyre është afruar me vrap në drejtim të mjetit të tij dhe dyshohet se në dorë mbante një pistoletë.
Drejtuesi i mjetit ku udhëtonte Kaçaj ka manovruar duke e kthyer mjetin në drejtim të Lezhës dhe kanë ardhur menjëherë në polici ku kanë bërë edhe kallzimin” thotë policia.
Në lidhje me kallzimin e Kaçajt shërbimet e Policisë kanë njoftuar menjëherë Prokurorin si dhe nën drejtimin e tij, po kryejnë të gjitha veprimet hetimore dhe procedurale me qëllimin zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve të dyshuar.