Partia Socialiste ka replikuar sërish me KQZ-në. Ministrja Bora Muzhaqi i kërkoi llogari kreut të KQZ-së, Ilirjan Celibashi për arsyen e vonesës së nisjen e procesit të votimit për shkak të problemeve të pajisjeve të identifikimit biometrik.
“Nuk dëgjuam ndjesën e Celibashit drejtuar mijëra zgjedhësve të cilët në më shumë se 500 qendra votimi u penguan të votojnë. Pajisjet elektronike nuk funksionuan, arsyet ishin më absurdet, deri te bateria.
Nuk ka si të mos na vijë keq për mos dhënien e shërbimit të identifikimit elektronik duke penguar mijëra zgjedhës për disa orë derisa KQZ të merrte vendimin elementar të nisjes së procesit duke i detyruar qytetarët që të largoheshin.
Jam këtu për apelin e PS, ju lutem rikthehuni dhe kryeni detyrën tuaj duke votuar. Ju lutem bëjeni këtë në orët në vijim. Vota vlen shumë, vendos shumë, përcakton të ardhmen tonë të përbashkët, prandaj thirrja e PS është votoni, votoni, votoni”, tha Muzhaqi.