Fituesi në garën e ngushtë për Bashkinë e Rrogozhinës u përcaktua nga votat e të burgosurve. Në Bashkinë e Rrogozhinës pati vërtetë një garë të fortë. Shkëlqim Hoxha, kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, e kryesoi garën gjatë gjithë kohës, ndonëse me diferencë të vogël. Deri në kutinë e fundit, ku rezultati u përmbys në favor të Edison Memollës i Partisë Socialiste.
Kutia e fundit që u numërua në Rrogozhinë ishte ajo e burgut. Sipas të dhënave zyrtare nga KQZ, në këtë kuti rezultonin që kishin votuar 104 të dënuar në total. Nga këto 92 vota shkuan për kandidatin e Partisë Socialiste, Edison Memolla dhe vetëm 12 vota shkuan për kandidatin e koalicionit Bashkë Fitojmë.
Diferenca prej 80 votash në Burgun e Rrogozhinës ishte ajo që i dha Partisë Socialiste fitoren e Bashkisë së Rrogozhinës. Rezultati përfundimtar i kësaj bashkie ishte 5120 vota për kandidatin e Partisë Socialiste dhe 5097 vota për kandidatin e Bashkë Fitojmë. Pra një fitore me një diferencë prej vetëm 23 votash.