Numërimi në Tiranë po shkon drejt fundit, jo për fituesin, por për vendin e tretë. Erion Veliaj nuk diskutohej, ashtu sikur Belind Këlliçi nuk pretendohej se do të fitonte.
Surpriza vjen nga shkalla e tretë e podiumit. Arlind Qori. Idealisti i majtë, ndonjëherë ekstrem, që “zgjoi” Tiranën në garën e tij të parë. Rreth 14 mijë qytetarë i besuan.
Nuk kishte lekë nga shteti për të bërë fushatën si partitë e mëdha, as mbëshetje të gjerë nga media për të mbuluar aktivitetin e tij. Partia e tij u krijua dy muaj para zgjedhjeve. I sulmuar nga sistemi.
Pa numërues në KZAZ. Por njerëzit i besuan sepse nuk kishte të shkuar politike. Vjen nga e majta për të çarë polarizimin ekstrem duke anatemuar të gjithë klasën politike për padrejtësinë sociale, abuzimin me pushtetin dhe oligarkinë.
Me denoncimin e aferave duke folur hapur, madje edhe me protesta në shumë raste arriti që të prekte anën emocionale të 14 mijë qytetarëve.
Arlind Qori nuk tregoi se e majta e tij ka shtrat për t’u zhvilluar, por edhe që njerëzit më shumë i besojnë një të riu krahasuar me të të vetëshpallurit “euroatlantikë” të “AliBashës” që zbritën Roland Bejkon në vendin e katërt me 4.27%.
PD-në zyrtare të drejtuar nga Enkelejd Alibeaj nuk e ndihmoi jo vetëm vula, por as “asi nën mëngë”, “Këshilli Euroatlantik” që krijoi pak ditë përpara zgjedhjeve. Në zgjedhjet e kaluara të 6 Marsit i mundi Sali Berisha, këtë vit i mundi i vetëm Arlind Qori.