Dy beteja “pushtuan” këto zgjedhje, Himara para 14 Majit dhe Shkodra pas votimeve me rezultatin që prodhoi. Në jug fitoi nga burgu kandidati i anatemuar Fredi Beleri, i cili ishte përfaqësues i koalicionit “Bashkë Fitojmë” të Sali Berishës dhe Ilir Metës.
19 vota i dhanë fitoren Belerit që “ngriti në këmbë” Greqinë. Përballë kishte socialistin Jorgo Goro dhe pikërisht këtu duket se ishte problemi kryesor. Edi Rama gaboi.
Këtë e thonë shifrat dhe “5Pyetjet.al” ju sjell shifrat. Edhe pse nuk la asamble partie dhe mbledhje me kryebashkiakët pa e kritikuar për pastrimin e qytetit dhe jo vetëm duke i thënë se “fle gjumë” në fund i besoi kandidimin për një mandat të tretë.
Kompromisin që bëri me Goron nuk ia falën socialistët. Rezultati për këshillin bashkiak të Himarës nxjerr në sipërfaqe faktin që baza nuk e donte Goron. Në këtë bashki PS ka marrë 9 mandate dhe bashkë me 2 mandatet e PSD-në së Tom Doshit, që ishte “eksportuar” për të ndikuar te kandidati shkon në 11, shumicë.
Koalicioni i Berishës mori 5 mandate. Bashkë me 3 të Minoriteti Etnik Grek për të Ardhmen shkon në 8. Dy mandatet e tjera në këshillin bashkiak i mori Aleanca Arbnore Kombëtare, të cilat edhe nëse në letër do t’i bashkojmë me opozitën shkojnë në 10 dhe sërish bashkimi Rama-Doshi nuk thyhet.
Atëherë çfarë shkoi keq që vota për këshillin nuk përputhet me atë për kandidatin? Shpjegimi është i qartë, baza socialiste dhe qytetarët e thjeshtë ishin fryrë me Goron.