Montana është bërë shteti i parë amerikan që e ka ndaluar aplikacionin kinez të videove të shkurtra, TikTok.
Guvernatori i Montanas, Greg Gianforte, e ka nënshkruar dokumentin në ligj, të mërkurën.
“Për të mbrojtur banorët e Montanas, të dhënat personale dhe private nga Partia Komuniste Kineze, e kam ndaluar TikTok-un në Montana”, ka thënë Gianforte, pas nënshkrimit të ligjit.
Vendimi i ri ua ndalon kompanive ofrimin e këtij aplikacioni nga 1 janari i vitit të ardhshëm, si dhe e parandalon TikTok-un nga operimi si biznes në shtet.
Për secilën ditë që kjo platformë do të jetë e qasshme, pas fuqizimit të ligjit, ofruesit e aplikacionit do të duhet të paguajnë gjobë prej 10.000 dollarëve.
Përdoruesit nuk do të gjobiten, dhe ata që e kanë përdorur aplikacionin në të kaluarën nuk do të preken nga vendimi.
TikTok-u nuk ka reaguar ende ndaj këtij ndryshimi ligjor.
Në ditët në vijim pritet të ketë ankesa ose padi që sfidojnë këtë vendim, me arsyetimet e lirisë së shprehjes.
Në pronësi të kompanisë kineze, ByteDance, TikTok veçse është ndaluar në pajisjet qeveritare të Kanadasë, Australisë, Zelandës së Re, Britanisë, dhe Shteteve të Bashkuara.
Të gjitha këto shtete i kanë përmendur shqetësimet për sigurinë kibernetike, si arsye për vënie të ndalesës.
Aplikacioni ka më shumë se një miliard përdorues në gjithë botën, dhe përdoret gjerësisht në SHBA dhe Evropë.
Ekzistojnë shqetësime se autoritetet kineze dhe shërbimet sekrete, mund ta përdorin aplikacionin për të mbledhur informacion nga përdoruesit, dhe të përhapin më pas ndikim.
Kompania, në anën tjetër, i ka hedhur poshtë këto sugjerime./rel