Nëntë persona kanë vdekur dhe disa të tjerë janë zhdukur, si pasojë e shirave të rrëmbyeshëm, të cilët kanë vërshuar rajonin italian Emilia-Romanja, kanë thënë zyrtarët.
Rreth 10.000 njerëz janë evakuuar, dhe disa është dashur të shpëtohen nga kulmet e shtëpive, me helikopterë.
Autoritetet kanë thënë se 14 lumenj kanë dalë nga shtretërit e tyre, dhe kanë vërshuar 23 qyteza.
Kryetari i Ravennas, Michele de Pascale, ka thënë se qyteti tani është “i tjetërsuar”.
Gara e planifikuar këtë fundjavë, Formula 1 Grand Prix, në Emilia-Romanja, është anuluar.
Në diskutimet e së mërkurës, në mes të autoriteteve lokale dhe organizatorëve të garës në Imola, është vendosur që ngjarja nuk mund të mbahet.
Sasi edhe më e madhe e shiut, pritet të bjerë edhe në ditët në vijim.
“Kjo mund të ketë qenë nata më e rëndë në historinë e Romanjas”, ka thënë Pascale, për transmetuesin publik italian, RAI.
Kryetari i qytezës së afërt, Forli, Luca Zattini, ka thënë se qyteti është “gjunjëzuar, i shkatërruar dhe në dhimbje”.
Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, e ka organizuar një takim me ekipin e krizave dhe më pas i ka falënderuar ekipet e shpëtimit, që e kanë rrezikuar jetën për t’iu ndihmuar viktimave./rel