Flukset valutore, të ligjshme dhe të paligjshme, po gjunjëzojnë eksportet. Në tremujorin e parë 2023, të ardhurat e eksportuesve u ulën me 60 milionë euro nga forcimi i lekut dhe nënçmimi i Euros. Nëse trendi vijon, në fund të vitit do të ketë reduktim të eksporteve dhe rritje të papunësisë dhe, prodhimi vendas, do të humbë shanset për t’u integruar në zinxhirin e lartë të vlerës.
Eksportuesit dhe prodhuesit kërkojnë që banka dhe qeveria duhet të analizojnë me seriozitet arsyet e vërteta të forcimit të monedhës vendase dhe rënies së Euros. Ata propozojnë që të ulet norma bazë e interesit dhe të rritet oferta monetare. Ja sa të rëndësishme janë eksportet për ekonominë.
Prodhimi dhe eksporti janë baza më e qëndrueshme për zhvillimin e një vendi, sado i vogël të jetë në sipërfaqe dhe popullsi. Përvojat kanë treguar se të gjitha vendet me mirëqenie të lartë kanë pasur në themel të zhvillimit prodhimin dhe eksportet.
P.sh., Gjermania e krijoi pasurinë e saj në bazë të një modeli që nxiti prodhimin në shërbime për industritë e zhvilluara në prodhimin e teknologjisë së lartë, makinave, pajisjeve mjekësore, produkteve kimike, energjisë alternative dhe produkteve të tjera të avancuara.
Vende të tjera shfrytëzojnë burimet natyrore, si klimën dhe kapitalin njerëzor për të prodhuar dhe për të shitur jashtë vendit mallra dhe shërbime dhe për t’u pasuruar nëpërmjet tyre. / Monitor.al