Në Shqipëri ka nisur stërvitja më e madhe ushtarake në Evropë, “Defender Europe 23”. Stërvitja do demonstrojë aftësinë e ushtrisë amerikane për të vendosur me shpejtësi trupa dhe armatim luftarakë në Europë. Kryeministri Edi Rama tha se NATO së shpejti do të ketë dy baza në Shqipëri, aeroportin e Kuçovës dhe hapësirën ushtarake në portin e Durrësit.
“Vitin e shkuar erdhi lajmi i mirë për ngritjen në Shqipëri të shtabit çka dëshmon se Shqipëria mbetet jo vetëm një aleat i fortë dhe i besueshëm i SHBA dhe NATO-s, por bëhet një pikë referimi në kontinentin tonë.
Me aeroportin e Kuçovës që së shpejti do të jetë në funksionim dhe shpresojmë shumë me portin që do të ketë një komponent për të funksionuar si bazë e NATO-s për forcat detare, jemi në kushtet ku një faqe e re e historisë sonë po shkruhet dhe ne jemi jo vetëm konsumatorë, por edhe kontributorë në këtë aleancë të madhe” tha Rama.