Teksa konsumi dhe importet e produkteve ushqimore po ulen me shpejtësi, importi i medikamenteve dhe produkteve farmaceutike po rritet po kaq shpejt. Në katër mujorin e parë të këtij viti importet e produkteve farmaceutike arritën në 2,248 tonë me një rritje 23 për qind në raport me vitin e kaluar në këtë periudhë.
Rritja po nxitet kryesisht për dy arsye kryesore:
E para, barra e lartë të sëmundjeve që la pandemia Covid -19 në të gjitha diagnozat. Mijëra persona që kanë kaluar Covid-19 janë shndërruar në të sëmurë kronike që kërkojnë trajtim të përhershëm. Pandemia ka ndikuar negativisht, sëmundjet e zemrës, artritet, veshkat dhe ka krijuar dëmtime të përhershme në mushkëri, që kërkojnë trajtim periodik. Operatorët e tregut pohuan se, pandemia krijoi një varësi të konsumit të vitaminave, përdorimi i të cilave mbetet i lartë në krahasim me para pandemisë.
E dyta, plakja e popullsisë dhe rritja e barrës së sëmundjeve në të gjithë diagnozat, të shtyrë edhe nga pandemia kanë, rritur kërkesën për trajtim me medikamente dhe produkte farmaceutike.
Operatorët e tregut pohojnë se rritja e importit në këto produkte po nxitet nga barra e sëmundjeve që la pas Covid-19 dhe plakja e popullsisë.
Tregu shqiptar është në zhvillim e sipër, ku barnat tradicionale gjenerike dhe ato jashtë patentës përfaqësojnë 76%, ndërsa trajtimi spitalor i specializuar dhe me terapi inovative vetëm 24%.
Në listën shqiptare të rimbursimit janë vetëm 373 molekula ndërsa në vendet e Adriatikut (Shqipëri, Serbi, Maqedoni, Kroaci, Slloveni) janë 962 molekula, sipas studimeve të ndryshme. Kardiologjia përfaqëson 17% të vlerës së shpenzuar në Shqipëri, ndërsa në vendet e tjera onkologjia zë 19% – 25% të totalit. Pjesa e rimbursimit (në Shqipëri onkologjia përfaqëson vetëm 14%) të fondeve totale nga rimbursimi./Monitor