Shkarkohet nga vettingu gjyqtari i Gjykatës së Tiranës, Lazer Sallaku, i cili u përball të mërkurën më 24 maj me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Gjatë seancës dëgjimore Sallaku kundërshtoi bilancet negative kryesisht në blerjen e një apartamenti. Si burime krijimi të një apartamenti në Tiranë, të rezervuar në vitin 2014 kundrejt vlerës 46,323 euro, subjekti ka deklaruar pakësimin e gjendjes cash.
Ndërkohë, pas zgjidhjes së martesës, ka deklaruar se i ka kthyer ish-bashkëshortes vlerën 45 mijë euro dhe apartamenti është regjistruar vetëm në emrin e tij. Si burim të shumës 45 mijë euro dhënë bashkëshortes pas divorcit, Sallaku ka deklaruar një kredi në vlerën 36 mijë euro dhe një hua nga një kushëri në shumën 11 mijë euro. Bekteshi sqaroi se vërtetohej kalimi i vlerës 45 mijë euro në llogarinë e ish-bashkëshortes, si dhe nuk janë gjetur probleme në burimet e kësaj shume.
Subjekti ka shpjeguar për Komisionin se kursimet që kanë shërbyer për blerjen e apartamentit në vitin 2014, ishin krijuar nga pagat e tij e të ish-bashkëshortes, si dhe një dhurim në vlerën 40 mijë euro të përfituar nga kjo e fundit prej nënës së saj të ndjerë.
Kur Sallakut i është kërkuar që të vërtetojë mundësinë financiare të ish-vjehrrës për dhurimin e vlerës 40 mijë euro me burime të ligjshme, ai ka këmbëngulur se kjo shumë ishte krijuar përpara lidhjes së martesës. Ai ka sqaruar se aktualisht nuk ka komunikim me ish-bashkëshorten dhe nuk e ka të mundur të sigurojë të dhëna dhe dokumentacion.
Megjithatë, ai ka vendosur në dispozicion të Komisionit një mandat pagese në vlerën 46 mijë euro në favor të ish-vjehrrës në vitin 2004. Por, Bekteshi konstatoi se pas tërheqjes së kësaj shume rezulton se ish-vjehrra ka blerë një pasuri në shumën rreth 3 milionë lekë.