Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiç, kërkoi nga autoritetet në Serbi që të ndërpresin dialogun me Kosovën, derisa, siç tha ai, “të tërhiqen të gjitha forcat speciale”.
“I kërkojmë presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe Qeverisë të ndërpresë ose të pezullojë çdo lloj dialogu deri në tërheqjen e të gjitha forcave speciale” të Policisë së Kosovës, tha Rakiç gjatë një konference për media më 27 maj.
Kjo kërkesë e Listës Serbe vjen një ditë pas rritjes së tensioneve në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.
Grupe të serbëve lokalë u përleshën me Policinë e Kosovës, teksa tre kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut hynë në ndërtesat komunale për të nisur mandatin e tyre.
Policia përdori gaz lotsjellës dhe shok-bomba për të shpërndarë serbët e mbledhur para ndërtesave komunale, teksa në Zveçan u raportua edhe për të shtëna me armë.
Disa makina policore u dogjën, ndërkaq të paktën pesë policë u lënduan./REL