Një incident i rëndë ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në Bursa të Turqisë, ku dy persona kanë mbetur të plagosur rëndë pasi një makinë u fut mes turmës së mbledhur në një shesh për të festuar titullin kampion të Galatasaray.
Pas përplasjes, shoferi është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes, por mësohet se është dorëzuar pak orë më vonë në polici. Ai u identifikua si Yusuf Y., 21 vjeç.
Galatasaray fitoi me rezultatin 4-1 kundër MKE Ankaragücü, duke u shpallur kështu kampion i Turqisë dy javë përpara përfundimit të sezonit. Pas kësaj, qindra tifozë nisën të bllokojnë rrugët e lagjes “İnegol” për të festuar.
Kjo shkaktoi kaos dhe trafik në rrugë, duke bërë që shumë shoferë të humbnin durimin, njëri prej të cilëve ishte edhe 21-vjeçari, i cili mori përpara turmën, duke plagosur tifozët Nehir Ezgi V., 20 vjeç dhe Samet E., 19 vjeç.