Në një intervistë për gazetën italiane “La Stampa”, Miroslav Lajçak u shpreh se çështja në Kosovë nuk qëndron se kush e nisi. Sipas tij nëse kjo krizë në mes të dy shteteve fqinje nuk përfundon, të gjithë do të humbasin.
“Tani të gjithë mendojnë se për atë që ndodhi është faji i tjetrit. Detyra jonë nuk është të vendosim se kush ka të drejtë apo kush e filloi, por t’i bëjmë Beogradit dhe Prishtinës të kuptojnë se janë përballë një ‘situatë humbje’. Nëse nuk ka kthim në normalitet, të dy duhet të humbasin”, tha ai.
Sipas tij, tani është koha për t’i ulur tensionet, teksa shton se nuk mund të ketë përshkallëzim dhe normalizim në të njëjtën kohë.
“Nuk mund të lejojmë që njerëz të vriten ose të plagosen, tani është koha për të ulur tensionet. Marrëveshjet që nënshkruam në shkurt dhe mars duhet të veprojnë si udhërrëfyes”, shtoi ai.
Teksa është pyetur se a është e vërtetë që përleshjet janë shkaktuar nga provokatorët serbë, të cilët kanë acaruar protestat, Lajçak ka theksuar se ka versione të ndryshme se kush e nisi dhe padyshim që në turmë kishte provokatorë.
“Si gjithmonë në këto raste, por tani e rëndësishme është rivendosja e qetësisë”.
Lajçak u pyet se çfarë roli luan fakti që presidenti serb Vuçiç është i kontestuar nga brenda për dhunën e regjimit të tij në tensionet aktuale mes Serbisë dhe Kosovës.
“Nuk dua të spekuloj, procesi politik serb ka dinamikën e vet të brendshme dhe ky është një front i ri. Të dyja situatat, ajo e brendshme serbe dhe ajo e përplasjeve në Kosovë, kërkojnë vëmendjen më të madhe nga bashkësia ndërkombëtare. Ato duhen parë së bashku, por duhet të trajtohen veçmas”.