Prej gati 3 javësh në terminalin e kontejnerëve në portin e Durrësit vijon të ketë vonesa të gjatë në shkarkimin në port të anijeve, si dhe ngarkimit të tyre në kamionë.
Pavarësisht se Autoriteti Portual Durrës (APD) është angazhuar për zgjidhjen e problematikës, situata vazhdon të mbetet e njëjtë sipas drejtuesve të linjave detare. Ata ngrenë shqetësimin se vonesat po shkaktohen nga mungesa e mjeteve të ngarkim-shkarkimit dhe produktivitetit të tyre, për rrjedhojë po shtohen kostot për ta dhe furnitorët.
Disa ditë më parë 5 kompanitë e linjave detare, CMA CGM ALBANIA, MEDITERRANEAN SHIPPING COMPANY ALBANIA, STACON SHIPPING AL, HUB ADRIATIC, STELLA MARE një letër drejtuar kreut të autoritetit Portual Durrës (APD) Pirro Vengu, ministres së Infrastrukturës dhe Energjetikës (MIE) Belinda Balluku dhe kryeministrit Edi Rama ngrenë shqetësimin e kostove shtesë nga vonesat e gjata në shkarkimin e anijeve.
Operatorët theksojnë se e gjitha kjo vjen për shkak të pamjaftueshmërisë së mjeteve të ngarkim-shkarkimit dhe produktivitetit të kompanisë koncensionare, por teksa APD dhe koncensionari fajësojnë njëra-tjetrën situata mbetet pa zgjidhje.
“Në shumicën e kohës që ne evidentojmë dhe ju paraqesim problemin APD bën fajtor operatorin e shërbimit “Mariner Adriatic”, ndërsa ky fundit na komunikon gjendjen problematike të vinçave dhe mjeteve të ngarkim-shkarkimit. Përfundimisht, ngelemi pa zgjidhje”, theksojnë operatorët në letër. Lexo artikullin e plotë / MONITOR