Popullsia e Shqipërisë ka shënuar rënien më të lartë në tre vjet, që nga periudha e pandemisë, duke u tkurrur me 1.1%, ose 31.8 mijë persona më pak. Sipas INSTAT, popullsia e Shqipërisë më 1 janar 2023 rezulton 2.761.785 banorë, duke pësuar rënie me 1,1%, krahasuar me 1 janar 2022. Rënia ka ardhur si rrjedhojë e ikjes së një pjese të popullsisë në emigracion, ndërsa u kthyen më pak persona.
Nga ana tjetër, popullsia nuk po shtohet në mënyrë natyrore, pasi numri i vdekjeve është pothuajse i njëjtë me atë të lindjeve. Gjatë vitit 2022, shtesa natyrore e popullsisë (lindje-vdekje) regjistroi 690 lindje më shumë se sa vdekje, që është niveli më i ulët historik, me përjashtim të periudhës së pandemisë.
Numri i emigrantëve ishte 46.460 persona: 10,5% më shumë, krahasuar me vitin 2021. Nuk ka vetëm të ikur, pasi rezulton të jenë rritur dhe personat që kthehen në vend. Numri i imigrantëve në vitin 2022 ishte 13.963 persona: 51,9% më shumë, krahasuar me një vit më parë.
Sipas INSTAT, migracioni neto (diferenca midis imigrantëve dhe emigrantëve) shënoi një përmirësim të lehtë, krahasuar me një vit më parë: nga -32.853 në -32.497 banorë në 2022. Ikja e popullsisë në emigracion, kryesisht në moshë të re dhe rënia e lindjeve po sjellin një rritje të moshës mediane, që është mosha që e ndan popullsinë përgjysmë.
Sipas INSTAT, Në 1 janar 2023 mosha medianë e popullsisë rezulton 38,8 vjeç nga 38,2 që ishte më 1 janar 2022, që nënkupton që gjysma e popullsisë së vend është nën 38.8 vjeç dhe gjysma mbi këtë moshë./MONITOR