Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott, i bëri thirrje Qeverisë së Kosovës që të dëgjojë këshillat e miqve dhe partnerëve të saj ndërkombëtarë lidhur me situatën në veri të shtetit.
Pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, Abbott përsëriti qëndrimin e komunitetit ndërkombëtar, që Kosova të mos insistojë që kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri, të punojnë nga ndërtesat komunale.
“Ne po vazhdojmë të kërkojmë shtensionim të situatës [në veri]. Ne nuk besojmë se është e nevojshme që kryetarët e komunave të punojnë nga zyrat komunale dhe po ashtu nuk besojmë se ka nevojë që njësitë speciale policore të veprojnë si roje për ndërtesat komunale. Kanë punë shumë më të rëndësishme për të bërë gjetkë. Shpresoj shumë që në ditët në vijim të shohim një ndryshim. Do të shohim propozime, shpresoj që do të shohim më shumë bashkëpunim ndërmjet agjencive të sigurisë”, tha Abbott.
Në Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – komuna në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe – situata e sigurisë është përkeqësuar qysh më 26 maj, kur kryetarët shqiptarë të komunave kanë marrë zyrtarisht detyrën, përkundër rezistencës së banorëve lokalë.
Serbët lokalë në këto tri komuna që atëherë po organizojnë protesta para ndërtesave komunale.
Zgjedhjet e 23 prillit, prej të cilave kanë dalë këta kryetarë shqiptarë, janë bojkotuar nga komuniteti serb.
Komuniteti ndërkombëtar i ka paraqitur tri kërkesa Kosovës: qetësimin e situatës në veri, mbajtjen e zgjedhjeve të reja lokale në katër komunat veriore dhe kthimin në dialogun për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi.
Ambasadori Abbott u pyet edhe për draft-statutin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, të propozuar nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Por, ambasadori britanik tha se ende nuk e ka lexuar të njëjtin./rel