Ministrat e Brendshëm të Bashkimit Evropian u përpoqën sërish sot për të kapërcyer një nga problemet më të vështira politike të bllokut, çështjen e emigrantëve që hyjnë në Evropë pa autorizim.
Një nga propozimet që po diskutohet është që vendet anëtare të cilat nuk duan të pranojnë emigrantë, të paguajnë një shumë prej 20 mijë eurosh për çdo imigrant të regjistruar.
Ministrat e punëve të brendshme të Bashkimit Evropian u takuan të enjten në përjekje për të arritur një marrëveshje si të ndajnë përgjegjësinë e kujdesit për refugjatët dhe migrantët.
Sistemi i azilit i Evropës dështoi tetë vjet më parë pasi mbi një milion njerëz, shumica e të cilëve po iknin nga lufta në Siri, hynë në Evropë dhe mbingarkuan kapacitetet e pritjes sidomos në Greqi dhe Itali. Kjo shkaktoi një nga krizat më të mëdha politike të BE-së.
Presidenca e BE-së, që deri në fund të vitit mbahet nga Suedia, ka propozuar një sistem sipas të cilit vendet që nuk duan të pranojnë imigrantë mund të paguajnë para duke sugjeruar që të japin rreth 20,000 euro për çdo imigrant.
“Kanë kaluar pothuajse tre vjet që kur kam paraqitur këtë propozim të madh dhe ka qenë një maratonë. Falë arritjeve të mëdha gjatë dy viteve të fundit, na kanë mbetur ndoshta edhe 100 metra. Pra, jemi shumë pranë arritjes së një marrëveshjeje sot”, tha Komisionerja Evropiane për Çështje të Brendshme, Ylva Johansson./VOA