Burimet e Bashkimit Evropian, kanë thënë për Radion Evropa e Lirë se, suspendimi i liberalizimit të vizave për Kosovën – që është përmendur si mundësi në media, pas rritjes së tensioneve në veri të vendit – nuk është opsion.
Por, të njëjtat burime, kanë pranuar se edhe në BE po shqyrtohet mundësia e marrjes së masave ndaj Kosovës, në rast se vazhdojnë të mos përfillen kërkesat për uljen e tensioneve në veri, dhe gjetjen e një zgjidhjeje për t’i kthyer serbët në institucionet lokale të asaj pjese.
Serbët lokalë janë duke vazhduar protestat në tri komunat në veri të Kosovës, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, edhe më 9 qershor.
Ata po protestojnë rregullisht prej 29 majit, për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve shqiptarë në ndërtesat komunale.
“Ekzistojnë një varg masash që po shqyrtohen dhe diskutohen. Por, shumica e madhe e shteteve anëtare në disa takime, e kanë bërë të qartë se suspendimi i liberalizimit të vizave për Kosovën nuk është opsion“, ka thënë një zyrtar për Radion Evropa e Lirë.