Vit pas viti, diferencat në zhvillimin rajonal të vendit po thellohen, duke rrënuar perspektivën e qarqeve, edhe pse burimet natyrore ofrojnë mundësi.
Nga viti 2016 deri në vitin 2021, Qarku i Tiranës ka rritur më tej peshën e saj në ekonominë kombëtare.
Durrësi është pothuajse në vendnumëro dhe 10 qarqet e tjera kanë pësuar rënie të kontributit në ekonominë e përgjithshme. Në vitin 2021, standardet e jetesës në Kukës ishin më pak se gjysma e kryeqytetasve.
Demografia dhe ekonomia e qarqeve kanë rënë në rreth vicioz. Vit pas viti, rajonet shpopullohen me shpejtësi, kryesisht nga mundësitë e kufizuara ekonomike. Nga ana tjetër, tkurrja e popullsisë bëhet pengesë për zhvillimin e mëtejshëm.
Ekspertët këshillojnë qeverinë të ndajë me drejtësi burimet financiare dhe projektet e zhvillimit për rajonet.
Kur shikon burimet natyrore të Shqipërisë nga Veriu në Jug, me male të larta, lumenj të egër, nëntokë të pasur dhe një vijë të gjatë bregdetare, edhe fshati më i thellë i vendit duhet të ishte i begatë, por jo.
Fshatrat e Shqipërisë, në pjesën më të madhe, janë kthyer në rrënoja nga shpopullimi, por edhe qytetet e mëdha po zbrazen me shpejtësi.
Lëvizjet demografike kanë sjellë përqendrim të popullsisë në Tiranë dhe Durrës, teksa pas këtyre zhvillimeve, shihet se vit pas viti po rritet pabarazia ekonomike ndërmjet rajoneve.
Në vitin 2021, ekonomia e Qarkut të Tiranës kontribuoi me 44% të Prodhimit të Brendshëm Kombëtar, nga 40 që ishte në vitin 2016.
Teksa pesha e kryeqytetit në ekonominë kombëtare po vjen në rritje të shpejtë, kontributi i qarqeve është në rënie, duke sinjalizuar rritje të mëtejshme të pabarazisë./Monitor
Artikulli i plotë këtu.