Bashkimi Evropian nuk ka pranuar të komentojë zgjedhjet parlamentare të mbajtura në Mal të Zi të dielën, derisa misioni vëzhgues zgjedhorë i kësaj institucioni të mos ketë një raport për to.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha po ashtu se blloku evropian nuk do të hyjë në debate apo kalkulime se kush do të duhej të formonte Qeverinë e re në Podgoricë, pasi sipas tij, kjo është çështje e brendshme e Malit të Zi.
“Mali i Zi është një partner shumë i rëndësishëm dhe kandidat [për anëtarësim në BE]. Siç e ka thënë edhe përfaqësuesi i lartë [i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri], Josep Borrell, pas takimit me presidentin [e Malit të Zi, Jakov] Millatoviç, Mali i Zi është shteti më i avancuar kandidat dhe për këtë ne kemi ndjekur me vëmendje zgjedhjet”, tha Stano.
Zgjedhjet në Mal të Zi i ka fituar Lëvizja Evropa Tani, me 26 për qind të votave, pasuar nga partia pro-evropiane Demokratike e Socialistëve me 23.8 për qind të votave.
Aleanca konservatore për të Ardhmen e Malit të Zi, e udhëhequr nga Fronti Demokratik pro-serb dhe pro-rus ka fituar 14.7 për qind të votave. Ndërkaq, koalicion tjetër pro-BE-së që përfshin Partinë Demokratike dhe Lëvizjen URA të kryeministrit në largim, Dritan Abazoviç, doli në vendin e katërt me 12.3% të votave.
I pyetur se çfarë pasojash do të mund të kishte për Malin e Zi, nëse në ekzekutivin e ri do të ketë parti pro-ruse dhe vendi ndryshon kursin e politikës së jashtme, Stano tha se nuk dëshiron të spekulojë, por pret që Mali i Zi të vazhdojë me përshtatjen e plotë me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së./REL
Artikulli i plotë këtu.