Pas disa ditësh qetësi, me grumbullime, po pa tensione dhe incidente mesdita e sotme ka përmbysur situatën. Policia e Kosovës arrestoi një serb, që e akuzon si organizator të sulmeve në 29 Maj. Tre pjesëtarë Policisë së Kosovës janë të lënduar gjatë aksionit në veri të Kosovës, ka bërë të ditur ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla.
Momenti i arrestimit të organizatorit serb në veri, plagosen 3 policë
“Policia e Kosovës sot ka arrestuar Milun Milenkoviq- Llune, një nga udhëheqësit e formacionit kriminal ‘Mbrojtja Civile’ dhe prijësin e bandave kriminale që ndër vite kanë terrorizuar qytetarët tanë, kanë sulmuar pjesëtarët e Policisë së Kosovës dhe institucionet e Republikës së Kosovës”, tha ministri në Facebook.
Arrestohet serbi në Mitrovicë, Sveçla: Organizoi sulmet ndaj policisë edhe KOFR-it
Sipas Sveçlës, i njëjti ka qenë edhe organizatori kryesor i sulmeve ndaj forcave të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në Zveçan para dy javësh. Pas arrestimit sirenat e alarmit janë dëgjuar në Mitrovicë të Veriut, qytetarët serbë kanë filluar të grumbullohen në qytet. Po mblidhen afër lagjes “Mëhalla e Boshnjakve” ku ndodhet një numër më i madh i Policisë së Kosovës.
Sirenat e alarmit publik në Mitrovicë të Veriut rëndom lëshohen kur nga popullata lokale kërkohet të organizohet për ndonjë ngjarje dhe organizojnë barrikada. Dy javët e fundit raportet në mes të Kosovës dhe Serbisë janë tensionuar sërish pasi në katër komunat veriore janë duke u zhvilluar protesta nga grupe të serbëve lokalë të cilët po kundërshtojnë futjen në objektet komunale të kryetarëve të ri të Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviçit. Tensionet kulumuan më 29 maj, kur në Zveçan grupe të maskuara të serbëve lënduan 30 ushtarë të KFOR-it, tre prej tyre me armë zjarri.