Situatë e tensionuar në veri të Kosovës. “REL” shkruan se pjesëtarët e Policisë së Kosovës kanë filluar të tërhiqen nga “Mëhalla e Boshnjakëve” në Mitrovicë, në drejtim të jugut. Sipas ekipit të REL-it, diçka të tillë e ka kërkuar një pjesëtar amerikan i KFOR-it.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se Kosova nuk duhet të tolerojë akte kriminale të grupeve kriminale. Përmes një postimi në Facebook, ajo ka thënë se “pas angazhimit të madh nga ana e Policisë së Republikës së Kosovës është jetike që institucionet e drejtësisë të jenë në krye të detyrës dhe të ndërmarrin veprime në përputhje me përgjegjësitë e tyre”.
Por çfarë ndodhi sot?
- Rreth orës 13:00 të së martës, në Mitrovicë të Veriut janë dëgjuar sirena alarmi.
- Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se tre pjesëtarë të Policisë së Kosovës janë të lënduar gjatë një aksioni në veri.
- Sipas tij, Policia e Kosovës në këtë aksion e ka arrestuar Milun Milenkoviq- Llune, “një nga udhëheqësit e formacionit kriminal ‘Mbrojtja Civile’”.
- Sipas Sveçlës, i njëjti ka qenë edhe organizatori kryesor i sulmeve ndaj forcave të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në Zveçan para dy javësh.
- Serbët lokalë kanë organizuar në tri komunat në veri të Kosovës, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.
- Ata kanë protestuar rregullisht prej 29 majit, për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve shqiptarë në ndërtesat komunale.