Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviç tha se njësitet anti-terror të xhandarmërisë serbe më 14 qershor kanë arrestuar tre zyrtarë të njësive speciale të Policisë së Kosovës, që sipas tij “ishin të armatosur gjerë në dhëmbë”. Ai i identifikoi të arrestuarit me inicialet R.Z. B.S dhe M.Sh.
“Ata u arrestuan në orën 12:38 në thellësi të territorit të Serbisë qendrore, në fshatin Gnjillica në afërsi të Rashkës”, tha Petkoviç gjatë një konference për media në Beograd.
Policia e Kosovës tha më herët se tre zyrtarë të saj policorë dyshohet se janë rrëmbyer nga trupat serbe “thellë brenda territorit të Kosovës”, në afërsi të vijës kufitare në komunën e Leposaviqit.
“Dëshiroj të theksoj se pjesëtarët e policisë sonë nuk kanë shkelur në territorin e Kosovës dhe nuk kanë shkelur as rezolutën 1244 [të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara] dhe as marrëveshjen ushtarako-teknike [Marrëveshja e Kumanovës] për shkak se nuk kanë kaluar vijën administrative.
Ata që kanë shkelur këto marrëveshje ndërkombëtare janë pikërisht pjesëtarë të Policisë së Kosovës”, tha Petkoviç.