Policia e Shtetit ka reaguar për herë të parë për velierën që u gjet në det. Sipas njoftimit, sot rreth orës 09:00 ka mbërritur në portin e Limjonit, Sarandë, anija e peshkimit “Rozafa 23” dhe një mjet lundrues tip velierë.
Policia thotë se veliera “Bavaria 50” është gjetur më datë 10.06.2023 rreth 51 milje larg ishullit të Siçilisë nga anija e peshkimit “Rozafa 23”, ekuipazhi i së cilës ishte duke peshkuar në atë hapësirë detare.
Nga kapiteni i anijes së peshkimit në momentin e konstatimit nga ana e tyre, është njoftuar Kapiteneria e Siçilisë dhe Delta Force e Policisë Italiane, të cilët kanë kryer kontrollin fizik, gjatë të cilit nuk kanë konstatuar sende të kundraligjshme si dhe kanë kryer verifikimet e tjera përkatëse dhe në bazë të së drejtës ndërkombëtare të detit, ja kanë dhënë velieren kapitenit të anijes Rozafa.
Aktualisht veliera është sekuestruar dhe qëndron e bllokuar në port, pasi do të verifikohet nga Kapiteneria Sarandë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Sarandë dhe Policinë Kufitare Sarandë. Ende nuk dihet kush e ka dhe nëse mund të përdorej për trafiqe.