Sot në Gjykatën Kushtetuese ishte planifikuar të zhvillohej seanca e parë e padisë së opozitës kundër projektit të qeverisë që kaloi në parlament për dhënien me koncesion të Butrintit, por që është shtyrë. Gjykata Kushtetuese kërkoi autorizim nga 36 deputetët që përfaqësohen nga Zhupa.
“Gjykata çmoi se nuk ishim të legjitimuar për të përfaqësuar 36 deputetët. Më kërkuan një autorizim të rifirmosur nga të gjithë deputetët firmëtarë të kësaj padie.
Por 36 kanë firmosur dhe pesë kanë lënë mandatin, por duke qenë se ishte brenda kuorumit nuk ka nevojë për shtim. Seanca e radhës do të jetë në 11 korrik” tha ajo.
Deputetja Ina Zhupa listoi edhe njëherë cilat janë problemet dhe shkeljet nëse Butrinti i kalohet një fondacioni, sikur bëri qeveria dhe vulosi parlamenti.
“Sot është seanca e parë publike për Butrintin në Gjykatën Kushtetuese. Do të paraqesim padinë kundër koncesionit të Butrintit. Ka kaluar fazën e parë për t’u shqyrtuar.
Uroj që të jetë prezentë ministrja Margariti, dy CEO-t e ADF-së, por vetë dhe Richard Hodges dhe të argumentojë si Saranda dhe Butrinti janë greke.
Më këtë vendim ndërtohet në Butrint, restorante dhe bare në një zonë të mbrojtur. Hiqet kompetenca për të monitoruar pasurinë kombëtare dhe bazën monetare nga KLSH dhe i lihet një privati.
Çdo gjetje dhe gërmim do të interpretohet nga ky staf dhe do të tjetërsojë historinë. Administrimi i pasurive të mbrojtura nuk mund të bëhet nga fondacionet, vetëm nga shteti. Butrinti ka 2 mln dollarë në arkë që do i kalohen fondacionit pa bërë asgjë për Butrintin” tha ajo.