Oda Gjermane ka alarmuar duke thënë se situata aktuale në veri, ndikon negativisht në marrëdhëniet ekonomike gjermano-kosovare dhe i shkakton dëm Kosovës.
Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare (KDWV-OEGJK), ka shprehur shqetësim lidhur me zhvillimet në veri të Kosovës, si dhe zhvillimet e fundit politike në vend.
Oda ka thënë se anëtarët e saj janë të shqetësuar që kompanitë gjermane mund të heqin dorë nga investimet në Kosovë, ose të ndërpresin aktivitetet ekzistuese.
“Si përfaqësuese e 198 kompanive anëtare, përfshirë kompani gjermane dhe kosovare, investitorë potencialë dhe kompani anëtare, që punojnë ngushtë me kompani gjermane, OEGJK në baza ditore dëgjon shqetësimet në rritje nga ankesat e pranuara”.
Oda tutje ka treguar se situata aktuale ndikon negativisht në marrëdhëniet ekonomike gjermano-kosovare dhe i shkakton dëm Kosovës.
“Lajmet për paqëndrueshmëri politike dëmtojnë besimin e klientëve dhe investitorëve gjermanë në mënyrë të konsiderueshme. Kjo ndikon negativisht në marrëdhëniet ekonomike gjermano-kosovare dhe i shkakton dëm Kosovës, si lokacion për investime dhe biznes”, thuhet në komunikatën për media.