Të dhënat nga Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikacioneve tregojnë se Shqipëria ka kosto më të larta të shërbimeve celulare në raport të ardhurat, qoftë krahasuar me nivelet mesatare europiane, qoftë me shumicën e vendeve fqinje.
Metoda kryesore që përdor ITU për të vlerësuar sa të përballueshme janë shpenzimet e komunikimit është raporti mes çmimit të disa shportave standard të komunikimit, në raport me të ardhurat bruto për frymë. Për komunikimin celular, ITU i referohet katër shportave bazë.
Shporta e parë, ajo e përdorimit të ulët të telefonit celular (70 minuta+20 SMS në muaj) në Shqipëri kushton sa 1.09% e të ardhurave mujore për frymë, nga 0.41% që është mesatarisht ky tregues për Europën. Mes vendeve të Rajonit të Ballkanit Perëndimor, vetëm Bosnjë-Hercegovina e ka këtë tregues në nivele më të larta, me 1.86% të të të ardhurave mujore.
Shporta e dytë, ajo e internetit nga telefoni celular (2GB në muaj) në Shqipëri kushton sa 2.17% e të ardhurave mujore për frymë, nivel dukshëm më i lartë krahasuar me të gjitha vendet e rajonit dhe me mesataren europiane prej 0.42%.
Shporta e tretë, ajo e përdorimit të lartë të shërbimeve zanore dhe të internetit nga celulari (140 minuta, 7 SMS dhe 2 GB në muaj) në Shqipëri kushton sa 1.45% e të ardhurave për frymë, nga 0.59% që është mesatarja e BE-së. Për këtë shportë, Shqipëria është vendi i tretë më i shtrenjtë në Rajon, pas Bosnje-Hercegovinës dhe Maqedonisë së Veriut.