Presidenti i Republikës, Begaj zhvilloi sot një takim të fundit me ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim, me rastin e përfundimit të misionit të saj diplomatik në vendin tonë.
Zyra e shtypit thekson se Presidenti Begaj vlerësoi rolin dhe angazhimin domethënës të ambasadores Kim në avancimin e reformës në drejtësi, në forcimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë, si edhe të luftës kundër korrupsionit e krimit të organizuar.
Kreu i Shtetit më tej vlerësoi bashkëpunimin e ngushtë të Ambasadores Kim me institucionet shqiptare për nxitjen dhe koordinimin e bashkëpunimit mes agjencive të specializuara të dy vendeve për çështjet e mbrojtjes dhe të sigurisë, me fokus të veçantë në atë kibernetike.