Kolonel Martin O’Donnell, zëdhënës i Komandës së Ushtrisë Amerikane në Evropë dhe Afrikë, tha se stërvitja ushtarake shumëkombëshe DEFENDER Europe 23 merr në konsideratë edhe situatën në veri të Kosovës. Në një intervistë për Deutche Welle ai dha detaje për stërvitjen nga e cila u përjashtua Kosova pak ditë më parë
“Angazhimi Dinamik i Forcave në Evropë për Parandalimin dhe Gatishmërinë e Përmirësuar të NATO-s 23, që më shpesh quhet DEFENDER 23, demonstron aftësinë e ushtrisë amerikane për të vendosur me shpejtësi trupa dhe pajisje të besueshme luftarake, siguruar aleatët, penguar ata që do të kërcënonin paqen në Evropë si edhe mbrojtur kontinentin nga agresioni. Stërvitja demonstron gjithashtu përkushtimin e kombeve evropiane për të rritur shkallën, aftësinë dhe ndërveprueshmërinë mes ushtrive të tyre.
Ushtria amerikane në Evropë dhe Afrikë bën përditë stërvitje në këto dy kontinente. Në këtë mënyrë ne i marrim në konsideratë situatat në afro 100 vende, përfshirë edhe Kosovën. Kosova ishte pjesë e Reagimit të Menjëhershëm, një nga tri stërvitjet e veçanta, por të lidhura me DEFENDER 23 që përfundoi muajin e kaluar, më 30 maj.
Për shkak të rrethanave në Kosovë dhe shqetësimeve të SHBA-së për situatën e sigurisë, Komanda Evropiane e SHBA-së përfundoi pjesën e stërvitjes DEFENDER 23 më herët nga sa ishte planifikuar. Pavarësisht përfundimit të hershëm stërvitja konsiderohet një sukses pasi trupat nga Shtetet e Bashkuara, Kosova, Turqia, Kroacia, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria ishin në gjendje të ushtrojnë aftësi ushtarake dhe të forcojnë ndërveprueshmërinë gjatë gati dy javëve të stërvitjes ushtarake” tha ai.