Bllokadat në pikat kufitare mes Serbisë dhe Kosovës kanë ndikim të keq te të dyja palët, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Nenad Gjurgjeviç, këshilltar i kryetari të Odës Ekonomike të Serbisë.
Shoferët e kamionëve me targa serbe, që nuk po lejohen të hyjnë në Kosovë që nga 14 qershori për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për të ndaluar importin e mallrave nga Serbia, kanë protestuar për të tretën ditë me radhë në pikat kufitare në Jarinjë, Merdare dhe Bërnjak.
Gjurgjeviç tha se bashkëpunimi ekonomik mes Serbisë dhe Kosovës është i një rëndësie të madhe dhe më 2022, shkëmbimi dypalësh ishte në vlerë prej 520 milionë eurosh.
“Ky numër tregon se tregu në Kosovë është më i rëndësishmi për ne në Ballkanin Perëndimor, pas tregut në Bosnje e Hercegovinë”, tha ai.
Ai theksoi se bllokadat kanë efektet te kompanitë dhe qytetarët në të dyja shtetet.
“Kompanitë pësojnë për shkak të punës së parealizuar dhe për shkak të pritjeve, por po ashtu edhe qytetarët, veçmas ata në Kosovë, që blejnë mallra nga Serbia dhe kompanitë e tyre përdorin lëndën e parë, makineri, për të prodhuar mallra në Kosovë, por po ashtu tregu i tyre, eksporti, që më pas kontribuon në ekonominë e Kosovës”, tha Gjurgjeviç./REL