Presidenti, Bajram Begaj ka marrë pjesë ditën e sotme në 247 vjetorin e Pavarësisë së SHBA-së e organizuar nga Ambasada Amerikane në Tiranë.
Gjatë takimit Begaj shprehu mirënjohjen për kontributin historik të Shteteve të Bashkuara në mbështetje të kombit shqiptar.
“Angazhimi amerikan për integrimin euro – atlantik të Shqipërisë dhe forcimin e shtetit të së drejtës dhe demokracisë mbetet vendimtar për të sotmen dhe për të nesërmen e vendit tonë. Ky angazhim na detyron të jemi në lartësinë e investimit dhe të pritshmërive dhe ne jemi të kthjellët për rrugën që na duhet akoma të bëjmë në këtë drejtim,” tha Begaj.
Kreu i Shtetit shprehu dhe njëherë gatishmërinë për përforcim e mëtejshëm dhe intensifikim e marrëdhënieve mes dy vendeve në të gjitha fushat e posaçërisht ato ekonomike, si dhe në përballjen e sfidave që janë sa kombëtare e rajonale po aq dhe globale.
Presidenti falënderoi Ambasadoren Yuri Kim, që po mbaron misionin e saj diplomatik në Shqipëri, për kontributin e çmuar në vendin tonë dhe miqësinë që ka treguar ndaj Shqipërisë.