Rebelimi i ndërprerë i grupit mercenar rus Wagner në fundjavë, e ka demonstruar shkallën e gabimit strategjik të Kremlinit kur e ka nisur luftën në Ukrainë, ka thënë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, të hënën.
Rusia ka tentuar të rikthejë qetësinë të hënën, pasi luftëtarët e Wagnerit e kanë ndërprerë avancimin drejt Moskës, janë larguar prej qytetit të kapur rus Rostov-on-Don dhe janë nisur drejt bazave të tyre në orët e vona të së shtunës, pas arritjes së një marrëveshjeje që u garanton siguri.
Sipas marrëveshjes – të ndërmjetësuar nga lideri bjellorus, Alexander Lukashenko komandanti i tyre, Yevgeny Prigozhin, duhet të shkojë në Bjellorusi.
“Ngjarjet e fundjavës janë një çështje e brendshme dhe një tjetër demonstrim i një gabimi të madh strategjik që presidenti [Vladimir] Putin e ka bërë kur e ka nisur aneksimin e Krimesë dhe luftën në Ukrainë”, ka thënë Stoltenberg nga Vilniusi, kryeqyteti i Lituanisë.
Konfuzioni për ngjarjet e jashtëzakonshme të fundjavës i ka lënë qeveritë e Perëndimit në kërkim të përgjigjeve se çfarë mund të ndodhë në këtë shtet me arsenal të fuqishëm bërthamor – dhe me luftën që vazhdon të zhvillohet në Ukrainë.









