Ditën e stome ka marrë detyrën Gjeneralmajori, Giovanni Pietro Barbano si Shef i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX).
Pas përfundimit të mandatit të Ambasadorit Lars-Gunnar Wigemark, i cili përfundoi detyrën si Shef i Misionit më 25 qershor detyrën e merr Barbano.
“Ndjej një përgjegjësi të madhe gjersa marr sot detyrën si Shef i EULEX-it, një partner strategjik i Kosovës në fushën e sundimit të ligjit dhe sigurisë.
Duke qenë plotësisht i vetëdijshëm për mandatin jetik të Misionit, unë do të punoj me integritet dhe profesionalizëm për të vazhduar moton e Misionit ‘Partneritet për drejtësi’, për të ndikuar pozitivisht në teren dhe për t’i avancuar synimet tona të përbashkëta për sundimin e ligjit në Kosovë,” tha Barbano.
“Misioni është mjet i shkëlqyeshëm për reagimin e gjerë të BE-së ndaj sfidave të sigurisë, pasur parasysh që EULEX-i është reaguesi i dytë i Kosovës në fushën e sigurisë.
Në kuadër të mandatit që ka, Misioni do të vazhdojë të mbështesë stabilitetin e Kosovës, si dhe sigurinë e të gjitha komuniteteve të saj.
EULEX-i do të vazhdojë të monitorojë nga afër rastet e përzgjedhura në nivel policor, prokurorial dhe gjyqësor, dhe në nivel korrektues, për të vlerësuar se si ato raste trajtohen nga autoritetet e Kosovës.
Mes tjerash, monitorimi do të përqendrohet në respektimin e të drejtave të njeriut, garancitë për gjykime të drejta, si dhe trajtimin e barabartë për të gjithë, përfshirë pjesëtarët e komuniteteve jo-shumicë në Kosovë”, shtoi ai.