Prindërit e aktorit Alban Ukaj nga Prishtina kanë vizituar Sarajevën vetëm dy herë përgjatë 22 vjetëve sa ai jeton atje. Ata nuk e vizitojnë sepse për këtë u duhen vizat, dhe procedurat [për pajisje me vizë] janë të vështira dhe e vrasin dinjitetin, thotë Ukaj.
Njoftimet se vizat mund të hiqen pas nënshkrimit të marrëveshjes për lëvizje të lirë në Ballkanin Perëndimor, nga nëntori i vitit 2022, si pjesë e Procesit të Berlinit, janë të diskutueshme pas bllokimit të ri nga entiteti Republika Sërpska (RS).
“Do të vijë koha për të marrë përgjegjësinë për rrezikimin e lirive themelore të njeriut”, thotë Ukaj duke komentuar njoftimin e politikanëve nga entiteti i Republikës Sërpska për bllokimin e mëtejmë të marrëveshjes.
Heqja e vizave me Kosovën është kundërshtuar prej vitesh nga politikanët nga Bosnja dhe Hercegovina, entitete të kryesuara nga presidenti Millorad Dodik, që është në krye të Aleancës qeverisëse të Social- Demokratëve të Pavarur (SNSD).
Deputetët e Asamblesë Kombëtare të RS-së do të diskutojnë për veton e anëtares së Presidencës së BeH-së, Zheljka Cvijanoviq, e cila deklaroi se është mbivotuar në seancën e fundit të kreut kolektiv të shtetit, të martën, më 27 qershor.
Bllokada të reja po afrohen pas fjalimit të fundit të Cvijanoviq, përndryshe zyrtare e SNSD-së, e cila e ka quajtur këtë çështje si shkatërruese për interesin jetik të entitetit të Republikës Sërpska.
Cvijanoviq ka përmendur inicimin e vetos për shkak të “përshkallëzimit të krizës në veri të Kosovës”, duke thënë se “regjimi” i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, “nuk meriton përfitime”./REL