Importet e bulmetit dhe mishit janë rritur me shpejtësi vitet e fundit, si pasojë e mungesës së prodhimit vendas, që vjen nga tkurrja e numrit të krerëve në sektorin e blegtorisë.
Nga ana tjetër, kërkesa për mish dhe bulmet po vjen në rritje nga viti në vit, si pasojë e rritjes së numrit të turistëve, të cilët kërkojnë të konsumojnë gatime të vendit që kanë si bazë të tyre mishin dhe bulmetin.
Të dhënat e INSTAT treguan se në janar-maj 2023 u importuan rreth 30 milionë euro mish me rritje 19% në raport me vitin e kaluar në të njëjtën periudhë. Importet e këtij grupi pësuan rritje edhe në sasi me rreth 15% në të njëjtën periudhe krahasimi.
Për të njëjtat arsye janë rritur edhe importet e bulmetrave. Gjatë pesëmujorit, sasia e importeve të bulmetit u rrit me rreth 20%. Gjithsej u importuan 12 mijë tonë bulmet dhe vezë nga 10 mijë tonë më 2022. Importet e këtij grupi në vlerë në të njëjtën periudhë u rriten me 11%.
Bulmeti dhe mishi janë të vetmet produkte ushqimore që janë me rritje nga 20 grupet e ushqimeve. Importet e drithërave, sheqernave, vajit shënuan vijuan rënien si në vlerë dhe në sasi gjate 5-mujorit.
Importet e sheqernave në sasi shënuan rënie vjetore me 36% në janar-maj 2023, vajrat vegjetale shënuan rënie me 28% dhe drithërat me 11% etj.
Fragmentimi i tokës, kostot e larta të ushqimit, por më kryesorja, braktisja e fshatit po çojnë në rënie të shpejtë numrin e bagëtive në vendin tonë.
Në vitin 2021 numri i kafshëve të gjalla shënoi rënie me 7%, ndërsa në raport me vitin 2004 numri i tyre u përgjysmua. Gjatë vitit 2022 rënia ka vijuar edhe me tej. Tkurrja po ndodhe në fermat e vogla familjare me 2-5 krerë./MONITOR