Komisioneri Publik ankimon vendimin e KPK-së për subjektin e rivlerësimit, Alfred Balla, kryetar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
“Komisioneri Publik konstaton se vendimi nr. 675/2023, i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, nuk gjen mbështetje në legjislacionin që normon procesin e rivlerësimit, duke arsyetuar se vazhdimi i procesit të rivlerësimit për subjektin, z. Alfred Balla, ishte parakusht i padiskutueshëm, për shkak se subjekti i rivlerësimit ushtron detyrën në një nga organet më të larta kushtetuese, ku ndërprerja e procesit të rivlerësimit parashikohet si pengesë ligjore për emërimin e tij për një periudhë 15-vjeçare” thotë deklarata e Komisionierit Publik.
Por çfarë ndodhi?
Kreu i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Alfred Balla ishte subjekt i rivlerësimit kur filloi vetingu, por shumica e një trupe të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit vendosi se procesi ndaj tij duhej mbyllur pa vendim përfundimtar.
Por si justifikohet kreu i KLP-së?
“Unë jam shkëputur përpara 6 vitesh nga Gjykata e Lartë që kur isha Këshilltar Ligjor dhe u lirova nga detyra pasi përfundoj mandati i gjyqtarit me të cilin punoja. Pra sduhet formim juridik të kuptosh që me largimin tim ligjor dhe jo dorëheqje nga Gjykata e Lartë, procedura e vetingut si këshilltar, duhej të pushohej pa një vendim përfundimtar pasi ska më objekt shqyrtimi dhe unë nuk gëzoj statusin e këshilltarit.
Kur kam filluar në KLP si i zgjedhur nga Kuvendi, si përfaqësues i shoqërisë civile, kisha 15 muaj që isha shkëputur nga puna. Vendimarrja e KPK-së edhe pse e vonuar është e drejtë. Ankimi i ushtruar nga Komisioneri më habiti pasi praktikat e tij me mosankim në raste analoge si psh M.Xhaferllari, D.Gjunkshi, etj., nuk lënë vend për të ushtruar ankim” shkruan ai.