Disa nga liderët e BE-së kanë kërkuar qasje më të balancuar ndaj Kosovës dhe Serbisë për çështjen e veriut. Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviç ka theksuar se de-eskalimi nuk mund të bëhet vetëm nga njëra palë.
“Ne pamë se si, në çfarë mënyre dhe kush i sulmoi ushtarët e KFOR-it dhe pjesëtarët e EULEX-it. Stabilizim, po. Pjesëmarrje në zgjedhje, po. Bisedime me të dyja palët, po. Respektim i marrëveshjes, po.
Dhe, krijimi i parakushteve për normalizimin e marrëdhënieve, po”, ka thënë kryeministri Plenkoviç. “Mesazhi është: një qasje e balancuar. Jo presion mbi njërën nga palët”.
Në këtë frymë ka folur edhe kryeministri i Sllovenisë, Robert Golob. “Asnjëherë nuk ka vetëm një fajtor, edhe pse në një moment të caktuar mund të duket kështu”.
Në prag të samitit, në Komisionin Evropian u paralajmërua se do të ndërmerren një numër masash kundër Kosovës, e të cilat do të komunikohen brenda javës.