Situata në veri të Kosovës vazhdon të mbetet e tensionuar qysh nga muaji i kaluar, kur kryetarët shqiptarë të komunave hynë në zyrat e tyre, me gjithë rezistencën e banorëve lokalë serbë.
Me gjithë thirrjet e komunitetit ndërkombëtar që Kosova t’i tërheqë njësitë speciale të policisë, që kryetarët shqiptarë të kryejnë detyrat nga vende tjera si dhe të organizojë zgjedhje të reja, por hapa në këtë drejtim nuk ka ende.
E për shkak të kësaj situate Bashkimi Evropian ka vendosur disa masa ndëshkuese për Kosovën. Masata sipas tyre janë për “mos ndërmarrjen e veprimeve për shtensionim të situatës në veri”.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano në një përgjigje me shkrim për Telegrafin, ka konfirmuar vendosjen e këtyre masave ndaj Kosovës, derisa ka treguar se cilat janë ato.
“Kemi pezulluar përkohësisht punën e organeve të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit. Kosova gjithashtu nuk do të ftohet në ngjarje të nivelit të lartë dhe vizitat dypalëshe do të pezullohen, përveç atyre të fokusuara në adresimin e krizës në veri të Kosovës në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, ka thënë Stano për Telegrafin.
Stano ka shtuar se gjithashtu është pezulluar edhe programimi i fondeve IPA 2024. Tutje, zëdhënësi i BE-së ka shtuar se këto masa janë të përkohshme. Ai gjithashtu tha se BE-ja është duke monitoruar Serbinë, dhe në rast se nuk i përmbushin kërkesat e tyre do të ndërmarrin masa edhe ndaj saj.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, vazhdon të insistoj se “nuk mund të bëjë kompromise me kushtetutshmërinë e vendit”, derisa tha se masat ndëshkuese të BE-së janë “të padrejta”. Ai shfaqi shpresën se këto masa do të jenë afatshkurtra, pasi, siç tha, “Kosova është një vend që ka nevojë për mbështetje në zhvillimin e saj”.