Në mbledhjen e sotme ka bërë disa akordime fondesh dhe rishpërndarje në institucione. Ministrisë së Kulturës në programin “Arti dhe kultura” në shpenzime korente i shtohet fondi prej 60 milionë lekësh për promovimin e trashëgimisë kulturore nëpërmjet zhvillimit të aktiviteteve artistiko-kulturore përgjatë sezonit turistik veror 2023. Kjo shumë që iu kalua kulturës i është hequr Shërbimit Informativ të Shtetit.
Gjykatës Kushtetuese në buxhetin e miratuar për vitin 2023, në zërin “Shpenzime kapitale”, të programit buxhetor 03320 “Veprimtaria gjyqësore kushtetuese”, i shtohet fondi prej 35 milionë lekësh për rikonstruksionin e godinës së Gjykatës Kushtetuese. Efekti financiar përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, i miratuar për vitin 2023.
Dy vendime janë marrë për Fondin Shqiptar të Zhvillimit. Së pari është ndryshuar vendimi i vitit 2017, për financimin e kostos së menaxhimit të projekteve që zbatohen nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, nga 5 në 7%.
Gjithashtu FSHZH që drejtohet nga Dritan Agolli i kanë kaluar 400 milionë lekë për ndërhyrjen dhe përmirësimin e konektivitetit dhe rrugëve të aksesit në kuadër të programit buxhetor të “100 Fshatrave” dhe 600 milionë lekë për zhvillimin e modelit të integruar në formën e një parku multifunksional në Valias në bashkëpunim me Universitetin Bujqësor të Tiranës.