Kreu Wagnerit, Yevgeny Prigozhin mësohet se nuk ndodhet më në Bjellorusi. Lajmin e ka bërë të ditur presidenti bjellorus, Aleksander Lukashenko i cili ka theksuar se Prigozhin ndodhet në Rusi.
Vendndodhja e Prigozhin ka qenë një mister që kur u pa për herë të fundit në Rusinë jugore pas njoftimit për frenimin e rebelimit në Rusi.
“Sa i përket Yevgeny Prigozhin, a gjendet në Shën Pjetërburg. Ose ndoshta këtë mëngjes mund të ketë udhëtuar edhe në Moskë apo diku tjetër. Por ai nuk është në territorin Bjellorus për momentin,” u shpreh presidenti bjellorus.
Gjatë një konference për mediat në Minsk, Lukashenko tha gjithashtu se pjesëtarët e Vagnerit gjendeshin në kampet e tyre të rregullta, duke sugjeruar se as ata nuk janë në Bjellorusi.
“Mesa jam informuar, luftëtarët e Vagnerit janë stacionuar tani në kampet e tyre të rregullta, atje ku shkojnë si pjesë e rotacionit, për t’u çlodhur apo rikuperuar nga fronti i luftës. Ky është një rotacion i rregullt, në kohë lufte,” shtoi Lukashenko.