Ambasadorja e SHBA-së në Maqedoninë e Veriut, Angela Aggeler ka shprehur dëshpërimin e saj për gjendjen në fushën e drejtësisë, që është ndër më të kritikuarat për shkak të pranisë së korrupsionit, ndikimeve politike, mungesës së efikasitetit dhe profesionalizmit.
Ambasadorja Aggeler ka thënë se përkundër përkushtimit dhe ndihmës së madhe financiare të qeverisë amerikane në dekadat e fundit për ngritjen e një sistemi funksional dhe të pavarur gjyqësor, rezultatet mungojnë.
“Fatkeqësisht, investimi ynë në progresin e gjyqësorit nuk dha rezultatin e pritshëm”, ka thënë Aggeler
“Kur bëhet fjalë për progresin në gjyqësor jemi të zhgënjyer. Gjatë tridhjetë viteve të fundit, ne kemi investuar gjysmë miliardë dollarë në programet e sundimit të ligjit dhe qeverisjes së mirë, por nuk po shohim përmirësimet dhe reformat që prisnim nga një investim kaq i madh”, ka thënë ambasadorja amerikane Angela Ageler, në një intervistë për gazetën Kapital.
Ajo ka shprehur shqëtësimin e saj mbi praninë e korrupsionit jo vetëm në gjyqësor por edhe në fushat tjera
“Korrupsioni sistematik në të gjithë vendin në të gjithë sektorët po dëmton njerëzit e Maqedonisë së Veriut. Ju të gjithë meritoni një shoqëri, një gjyqësor, një qeveri, veprimet e së cilës janë transparente dhe ju shërbejnë juve – qytetarëve. Është një gurthemel i një demokracie të drejtë dhe funksionale. Kjo është ajo ku qeveria duhet të fokusohet, pavarësisht se cila parti është në pushtet”, është shprehur Aggeler.
Sipas saj, “gjyqësori duhet të jetë një sferë e pavarur, plotësisht e vetfinancuar dhe jopolitike e qeverisë. Udhëheqësit politikë këtë duhet ta duan dhe ju qytetarët duhet ta kërkoni”./ REL