Komisioni i Ligjeve është përfshirë nga debati në mbledhjen e sotme. Shkak për nisjen e debatit ka qenë projektligji për despiunizimin, që ka kaluar më pas tek aktualiteti politik, dhuna në Krujë, dorëzimi i mandatit nga Rrahman Rraja dhe kërkesa për arrestimin e Arben Ahmetajt.
“Jo më larg se një orë më parë, një kolegu yt, Arben Ahmetaj ka marrë rrugën për te 7 penxheret” tha Enkelejd Alibeaj. Sajmir Korreshi ndërhyri duke i kujtuar ish-kryetarin e bashkisë Kukës. “Kemi edhe shokun Gjici”.
Por socialisti Toni Gogu largoi përgjegjësinë duke treguar edhe vendimin e PS-së jo vetëm për Rrajën, por edhe për Ahmetajn kur tha se partia qeverisëse e ka vendosur standardin duke mos mbrojtur asnjë që ka probleme me ligjin.
“Sa për Rrahjen, kolegun tonë të nderuar, ai ka vendosur një standard që ne të dy si prind është mirë ta respektojmë. Sa i përket Ahmetajt, që ju kërcyet, ky është një standard i vjetër në PS. Ju e keni vënë re, se ne me ligjin nuk bëjmë shaka. Ne të gjithë me ligjin strukemi të gjithë dhe jemi të barabartë. Çfarë iu ka trembur ju?” tha ai.