Ministri i Punëve të Brendshme, Taulant Balla, në deklaratën e mbajtur në takimin me strukturat e Policisë së Shtetit, bëri gjithashtu thirrje që askush, asnjë deputet dhe asnjë person tjetër politik nuk mund dhe nuk duhet lejuar të ndërhyjë në punën e Policisë së Shtetit.
Ai tha se, deputetit i hapet telefoni, i dëgjohet halli dhe shihet se si mund të zgjidhet, por pa ndërhyrë në punë, dhe nëse ndodh e kundërta, atëherë ai i këshilloi vartësit e tij që ta delegojnë telefonatën tek ai vetë.
“Asnjë deputet nuk duhet dhe nuk do të ndërhyjë në punën tuaj, ndaj kushdo që do pranojë ndërhyrjen nga ndonjë deputet, nuk mundtë paraqesë asnjë arsyetim për këtë ndërhyrje. Ju keni detyrën ti dëgjoni me respekt sa herë ju bie telefoni prej çdo deputet, por në çdo rast që telefonata e tij përbën ndërhyrje në punën tuaj, ju kërkoj që ta drejtoni tek unë.
Kur e them këtë për deputetin, ndërhyrja e kujtdo tjetër, nga sot është e papranueshme. Përzierje e kujtdo në detyrën tuaj, nuk do të jetë në asnjë rast. Kjo është diçka e thënë nga kryeministri Rama që në mbledhjen e parë në vitin 2013.
Ky është standard që duhet aplikuar 100 për qind dhe nëse më parë drejtues dhe shefa kanë ceduar në këtë standard, unë nuk do të dështoj në këtë drejtim.”, tha më tej në fjalën e tij Taulant Balla.









