Italia është kampione e Europianit të 19-vjeçarëve.Të kaltërit mposhtën në finale Portugalinë me rezultatin 1-0, teksa meritë absolute për këtë sukses ka dhe mesfushori me origjinë shqiptare, Luis Hasa, që ishte një nga më të mirët e këtij kompeticioni.
19-vjeçari që është pjesë e Juventusit, në total regjistroi 4 asiste dhe shënoi një gol, duke u shndërruar në një hero për kombëtaren U-19 të Italisë. Hasa dhuroi spektakël edhe në finalen ndaj Portugalisë, duke asistuar me një top fantastik, për golin e vetëm të shënuar nga Kajode në minutën e 19-të.
Pakkush e parashikonte në vitet e para të jetës së tij se sot do të shpallej kampion Europe me fanellën e “axurrëve” U-19, por ai dhe familja e tij e kanë shpresuar ndoshta që në moshën 6-vjeçare, kur në fushën pranë shtëpisë u pikas nga një zbulues talentesh dhe më shumë akoma prej moshës 7- vjeçare kur veshi për herë të parë fanellën e Juventusit, që vazhdon të jetë edhe sot lëkura e tij e dytë.